“Caritas Kosova është zemra e Zotit në Kosovë” - Shkëlqësia e Tij, Delegati Apostolik, Imzot Jean-Marie Speich.








Sot, Caritas Kosova u nderua dhe u bekua nga vizita zyrtare e Shkëlqësisë së Tij, Delegatit Apostolik, Imzot Jean-Marie Speich, i shoqëruar nga Ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji.
Don Viktor Sopi – Drejtori Gjeneral i Caritas Kosova në fjalën mikëpritëse theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që paraqet vizita e tij në Caritas Kosova. Po ashtu, e njoftoi Delegatin Apostolik për misionin, veprimtarinë si dhe sakrificat e shumta që ka tejkaluar Caritas Kosova në ndërtimin e një mozaiku gjithëpërfshirës të shërbimeve që ofrohen për njeriun në nevojë në Kosovë.
“Shkëlqësi e nderuar, Imzot Jean-Marie Speich, vizita Juaj është nder dhe përkrahje morale për të gjithë Ne, dhe kuptimson punën dhe angazhimin tonë profesional që bëjmë” - Don Viktor Sopi.
Pas prezantimit të aktivitetit të Caritas Kosova, Shkëlqësia e Tij, Imzot Jean-Marie Speich, vlerësoi shumë lart punën e përzemërt dhe angazhimin profesional të Caritas Kosova.
“Zbulova një realitet të jashtëzakonshëm dhe dua të Ju përgëzoj edhe pse nuk gjej fjalë të mjaftueshme për të Ju përgëzuar, sepse i di sfidat dhe vështirësitë me të cilat Ju ballafaqoheni. Jeni një shtet i ri i cili përpiqet që të rritet, të zhvillohet, të ndërtohet, dhe ndjehem jashtëzakonisht i kënaqur kur shoh kontributin e madh që po japim për këtë vend dhe për njerëzit në nevojë”
“Shteti Juaj është i ri dhe ka nevojë për shpirt dhe zemër, Caritas Kosova është zemra e Zotit në Kosovë, Kosova ka nevojë për Ju dhe për punën Tuaj, do të bart në Romë këto që i kam parë tek Ju. Ju inkurajoj të qëndroni të fortë, të ecni tutje, pavarësisht pengesave dhe sfidave që mund t’i keni.”
Ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji u shpreh shumë falenderues për punën e Caritasit dhe theksoi që është tejet krenar për përkushtimin e Caritasit ndaj njeriut në nevojë si dhe ftoi që të vazhdohet me të njejtin përkushtim dhe dashuri.
Don Viktor Sopi shprehu falenderimet e sinqerta për vlerësimin dhe përkrahjen e madhe që iu bë Caritasit nëpërmjet kësaj vizite si dhe kërkoi bekimin nga Delegati Apostolik, Imzot Jean-Marie Speich për stafin dhe punën e Caritasit i cili e bëri me kënaqësi.