Vlerat dhe Parimet

“Nëse nuk kemi paqe, atëherë kjo është sepse kemi harruar që i përkasim njëri tjetrit”

Nënë Tereza

 

Kjo thënie e Shën Nënë Terezës na përkujon se njeriu si qenie shoqërore duhet t'i ruajë virtytet dhe t'i përmbahet parimeve të caktuara në mënyrë që ta realizojë veten dhe t'i gjendet tjetrit në momentet më të vështira. Parimet e përhershme të doktrinës shoqërore të Kishës i përbëjnë bazat e vërteta të mësimit shoqëror katolik: bëhet fjalë për parimin e dinjitetit të personit njerëzor, në të cilin çdo parim e përmbajtje tjetër e doktrinës shoqërore gjen themelin e vet, të së mirës së përbashkët, të subsidiaritetit dhe të solidaritetit. Këto parime, shprehje e të vërtetës së plotë mbi njeriun të njohur me anë të arsyes dhe të fesë, burojnë prej takimit të mesazhit ungjillor dhe të kërkesave të tij, që përmblidhen në urdhërimin më të lartë të dashurisë ndaj Hyjit e ndaj të afërmit dhe në drejtësinë, me problemet që rrjedhin prej jetës së shoqërisë.

Për Caritas Kosova, në të vërtetë, parimet na kujtojnë se shoqëria që ka ekzistuar historikisht buron prej gërshetimit të lirive të të gjithë personave që në të ndërveprojnë, duke kontribuar nëpërmjet zgjedhjeve të tyre, për ta ndërtuar apo për ta varfëruar atë. Caritas Kosova, e udhëhequr nga ato, është e frymëzuar nga këto vlera dhe parime:

1.  Sipas mësimit Ungjillor, Caritas Kosova ndan Dashurinë Hyjnore me më të varfrit dhe njerëzit në nevojë, duke punuar së bashku për të promovuar solidaritetin, paqen dhe dashurinë krishtere.

2.  Epiqendra e misionit të Caritas Kosova është qenia njerëzore pa diskriminim fetar, etnik, social dhe racor; duke vepruar në përputhje të plotë me Statutin tonë, ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës dhe në bazë të udhëzimeve të Kishës.

3.  Në misionin e Caritas Kosova të gjithëjanë të frymëzuar nga vlerat e barazisë, solidaritetit, vëllazërisë, partneritetit, bashkëpunimit, zhvillimit, të drejtësisë dhe profesionalizmit.

4.  Si “Dorë Sociale” e Kishës Katolike në Kosovë Caritas Kosova promovon lëvizje, iniciativa, duke zhvilluar programe dhe projekte në favor të komunitetit tonë, bazuar në vlerat e paqes, bashkëjetesës dhe kujdesit ndaj njerëzve në nevojë.

5.  Caritas Kosova do të kujdeset për formimin e vazhdueshëm shpirtëror dhe profesional të personelit dhe të vullnetarëve të cilët janë të përkushtuar, dhe është shërbyes profesional ndaj njerëzve për të cilët kujdeset në përputhje me parimet e Deus Caritas Est.

6.  Prezantimi i stafit të Caritas Kosova sipas normave të etikës dhe moralit të Krishterë është një shembull i mirë për edukimin e komunitetit dhe rritë vlerat e Institucionit të Kishës Katolike. Gjithmonë synohet përhapja dhe zhvillimi i vlerave universale duke vepruar si shembull i mirë i etikës së krishterë dhe moral për të gjitha kategoritë e shoqërisë.

7.  Caritas Kosova vazhdon të jetë edhe në të ardhmen një cytës i fuqishëm për zhvillimin e vlerave demokratike të shoqërisë dhe për integrimin dhe mirëqenien e saj sociale.

Caritas Kosova kultivon dhe promovon: Dashuri, Solidaritet dhe Paqe