Konferenca vjetore e projektit: "Fuqizimi i të rinjve dhe grave drejt punësimit në rajonet e Ferizajt dhe Mitrovicës"






Projekti "Fuqizimi i të rinjve dhe grave drejt punësimit në rajonet e Ferizajt dhe Mitrovicës", zbatohet nga Caritas Kosova në partneritet me Zyrën e Punësimit në Ferizaj, financohet nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Secours Catholique-Caritas France.
Sot, përmes një konference të përbashkët u prezantuan aktivitetet vjetore për vitin 2019, në pamundësi të organizimit të këtij aktiviteti në kohë për shkak të pandemisë.
Konferenca u organizua në ambientet e Universitetit të Mitrovicës ''Isa Boletini'' dhe qëllimi i saj ishte prezantimi i arritjeve dhe mësimeve të marra gjatë periudhës së zbatimit të projektit.
Panelist ishin: z. Alfred Pjetri - Drejtor Ekzekutiv i Caritas Kosova, z. Naim Gashi - Drejtor i Zyrës së Punësimit në Ferizaj, z. Besmir Salihu - Drejtor i Zyrës së Punësimit në Mitrovicë, z. Shkumbin Arifi - Koordinator i projektit, znj. Selvije Sulejmani dhe z. Edvin Atiq, përfitues të projektit si dhe pjesëmarrës të ndryshëm nga shoqëria civile, drejtoritë e ndryshme komunale, etj.
Z. Arifi prezantoi objektivat, të arriturat dhe pengesat të cilat u paraqitën në këtë periudhë, sidomos situata e vështirë me Covid-19.
Ndër të tjera, përfshirja e palëve përkatëse të interesit në procesin e vendimmarrjes u tregua si një praktikë e mirë. Gjithashtu panelistët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit midis shoqërisë civile dhe institucioneve që synojnë të përmirësojnë cilësinë e jetës dhe të ofrojnë mundësi për kategoritë sociale dhe të rinjtë që nuk kanë asnjë profesion.