Znj. Miriam Pikaar nga Caritas Europa vizitoi Caritas Kosova

24.09.2022

Përgjatë dy ditëve, znj. Miriam Pikaar – Zyrtare e lartë për zhvillim institucional në Caritas Europa me seli ne Bruksel, zhvilloi takime të ndryshme dhe vizitoi aktivitete të shumta të Caritas Kosova.

Vizita filloi me takimin mirëseardhës në zyrën qendrore të Caritas Kosova në Ferizaj ku u prit nga Don Viktor Sopi – Drejtor Gjeneral dhe stafi i Caritas Kosova. Në këtë takim znj. Pikaar u njoftua hollësisht me strategjinë e veprimit, sferat kryesore të aktivitetit të Caritasit në Kosovë, sukseset e shënuara përgjatë viteve si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet gjatë punës së përditshme në shërbim të njeriut, pa dallim.

Po ashtu, Znj. Pikaar u prit në takim edhe nga Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës dhe President i Caritas Kosova. Imzot Dodë Gjergji u shpreh shumë i kënaqur për vlerësimin pozitiv të znj. Pikaar për punën e Caritasit në Kosovë dhe theksoi rëndësinë e aktivitetit të Caritasit si një nga akterët kryesor në vend në ofrimin e ndihmës për të varfrit dhe nevojtarët.

Me ketë rast u zhvilluan vizita në Kopshtin e fëmijëve ‘Engjujt’ në Ferizaj të menaxhuar nga Caritas Kosova ku frekuentojnë rreth 230 fëmijë, në Qendrën Sociale-Edukative të Caritasit në fshatin Dubravë të Ferizajt ku ofrohen shërbime për rreth 250 fëmijë si dhe në Qendrën e edukimit të hershëm në Prizren ku Caritas Kosova ofron shërbime për mbi 40 fëmijë me aftësi të kufizuar.

Gjithashtu u zhvilluan takime në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe në Ministrinë e Shëndetësisë. Për të parë nga afër bashkëpunimin në sferën sociale u takuam me z. Mentor Morina, Udhëheqës i Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjes. Ndërsa bashkëpunimi në sferën e shërbimeve shëndetësore është diskutuar më Dr. Anton Shllaku, Këshilltar i Ministrit të Drejtësisë.

Rëndësia e partneritetit në avansimin e shërbimeve sociale, shëndetësore, edukative, etj. në kuadër të nivelit lokal u diskutua në takimet e zhvilluara në Komunat e Prizrenit dhe Suharekës. Kryetari i Prizrenit z. Shaqir Totaj vlerësoi lartë bashkëpunimin me Caritas Kosova, sidomos në ofrimin e shërbimeve edukative për fëmijët me aftësi të kufizuar, si dhe shërbimet sociale dhe shëndetësore për të moshuarit dhe personat në nevojë. Si të domosdoshëm dhe shumë produktiv, bashkëpunimin me Caritasin, e ka cilësuar edhe znj. Mihrije Suka – Nënkryetare e Komunës së Suharekës, duke theksuar bashkëpunimin shumëvjeçar në fushën e shërbimeve të kombinuara sociale dhe shëndetësore.

Znj. Pikaar ka vlerësuar shumë lart angazhimin shumë dimensional të Caritas Kosova në ofrimin e shërbimeve për njerëzit në nevojë, si dhe projektet e shumta zhvillimore për përkrahjen e kategorive të ndryshme të shoqërisë duke i fuqizuar ata në realizimin e të drejtave themelore në të gjitha fushat e zhvillimit njerëzor.

Caritas Kosova kultivon dhe promovon: Dashuri, Solidaritet dhe Paqe