Më 28 Tetor 2020, Caritas Kosova organizoi konferencën hapëse të projektit PRAXIS

06.11.2020

PRAXIS është projekt ndërkufitar i financuar nga Bashkimi Evropian, i menaxhuar nga Ministria e Financave e Malit të Zi, Ministria e Pushtetit Lokal në Kosovë dhe implementuar nga Caritas Kosova në partneritet me Caritasin e Malit të Zi, QAKP "Gjon Nikollë Kazazi" - Gjakovë dhe Komunën e Berane. Po ashtu, PRAXIS mbështetet financiarisht edhe nga Catholic Relief Services.  

Në konferencë morën pjesë përfaqësues të ndryshëm duke filluar nga partneri i Caritas Kosova në këtë projekt, drejtori i QAKP "Gjon Nikollë Kazazi", Rektori i Universitetit “Fehmi Agani”, përfaqësues komunal nga Gjakova dhe Klina, komuna këto ku zbatohet projekti, drejtorë të shkollave, etj. Kjo konferencë është transmetuar edhe online përmes platformës Zoom dhe në konferencë kemi pasur edhe prezencën e partnerëve dhe akterëve relevant nga Mali i Zi.  

 Drejtori Ekzekutiv i Caritas Kosova, z. Alfred Pjetri, përshëndeti pjesëmarrësit dhe paraqiti punën e Caritas Kosova në përgjithesi, ndërsa të fushës së Punësueshmërisë në veçanti duke theksuar rëndësinë e projekteve të tilla në fuqizimin e të rinjve të pa punë në zonat ku zbatohet projekti.  

Drejtori i Caritasit të Malit të Zi, z. Marko Đelović, përmes platformës Zoom theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi midis Kosovës dhe Malit të Zi në uljen e varfërisë dhe mbështetjen e të rinjve në zbatimin e njohurive teorike në praktikë. 

Prezantimi i projektit PRAXIS u bë nga z. Mark Buzhala - Këshilltari për trajnim dhe orientim në karrierë. Fjalë rasti kishte edhe z. Artan Nimani, Rektor i Universitetit "Fehmi Agani" në Gjakovë si dhe nga Don Robert Jakaj, Drejtor i "Gjon Nikollë Kazazi". 

 

 

Caritas Kosova cultivates and promotes: Love, Solidarity and Peace