Caritas Kosova nuk e sheh veten vetëm si bamirës që vetëm ndërmerr akt humanitar, por ndërmerr edhe veprime që kultivojnë shprehinë që të gjithë njerëzit, në rrafshin individual, të jenë bamirës, të ndjejnë dhe të shpërndajnë lumturinë, me këtë edhe paqen. Bamirësia në rrafshin individual është më se e nevojshme sepse bamirësi e ndien veten mirë, forcon vlerat personale, mëson fëmijët për rëndësinë e dhënies, dhe inkurajon familjen dhe rrethin shoqëror të bëjnë të njëjtën gjë. Që nga ekzistenca e vet, i përkrahur nga shumë bamirës dhe njerëz vullnetmirë, Caritas Kosova ka ndihmuar familjet në nevojë me gjëra ushqimore dhe veshmbathje. Që nga viti 2000 i përkrahur nga Junge Leute Helfen, një organizatë vullnetare nga Bavaria e Gjermanisë, Caritas Kosova ofron ndihma humanitare për familjet në nevojë anekënd Kosovës.